Teatri në qytetin e Durrësit e ka zanafillën që në vitet e para të shekullit XX dhe u pasua nga shfaqje të tjera pas Luftës së Parë Botërore, rreth viteve 1923-1924.

Në vitet e para të pas Luftës, atëherë kur pak kush e kishte mendjen për shfaqje teatrore dhe jetë kulturore, disa të rinj durrsakë ngritën në këmbë grupet amatore të qytetit. Ata i dhanë jetë shumë shfaqjeve në ish-kinemanë “14 Nëntori”. Në vitet ‘47-‘52 u përgatitën 36 premiera shfaqjesh të ndryshme, të cilat u shfaqen 281 herë. Në këto shfaqje spikatën Nikolin dhe Meropi Xhoja, Teodor Rupi, Spiro dhe Vera Urumi, Vangjel Heba, Lufti Hoxha dhe Todi Thanasi.

Ky angazhim solli më pas natyrshëm krijimin e teatrit profesionist të Durrësit. Ai u pagëzua me emrin e aktorit të madh me famë botërore dhe origjinë shqiptare Aleksandër Moisiut. Premiera përuruese u dha më 12 prill 1953, me regjinë e kryeregjisorit të Teatrit Popullor, Pandi Stillu. Komedia u shfaq 44 herë dhe ndoq nga 19.648 shikues.

Veç themeluesve, në këtë teatër punuan edhe aktorët e shquar Marta Burda, Filika Dimo, Gulielm Radoja, Vangjel Heba, Mirush Kabashi, Liri Lushi, Xhelal Tafaj, Ali Bega etj, skenografët Zef Ujkaj, Ilia Rota, Fatos Mati, Thanas Popi, etj si edhe regjisorët Panajot Kolo, Sokrat Mio, Misto Zoto, Kadri Pirro, Haxhi Rama, Mario Ashiku, Kujtim Spahivogli, Serafin Fanku, Enver Plaku, Hervin Çuli, Driada Dervishi etj.

Në 65 vjet veprimtari repertori i Teatrit “Aleksandër Moisiu” numëron mbi 240 vepra të autorëve tanë dhe të huaj.

Ndërtesa aktuale e Teatrit “Aleksandër Moisiu” është përuruar më 8 shkurt 1965 dhe është vepër e arkitektes Valentina Pistoli.