Në vitet ’60, kinoregjisori i parëshqiptar i diplomuar në Institutin e Kinematografisë VGIK të Moskës, disidenti Viktor Stratobërdha, i cili vuante dënimin me internim në Berat, themeloiestradën amatore të cilën e drejtoi derisa ajo u bë një trupë e suksesshmeprofesioniste, në fillim të viteve ’70.

Teatri profesionist dramatik u themelua më 1984. Premiera e parë ishte “Dy krisma në Paris” me autor dhe regjisor Sheri Mita, në të cilën luajtën aktorët: Liri Lushi, Nikolla Lena, Xhuli Lena, Pranvera Protopapa, Fatmir Kapllani, Foto Vogli, Sokol Progri, Adrian Cerga e Zoi Kumati.

Në vitet ’80 Teatri vazhdoi të rritej, falë edhe bashkëpunimit me regjisorë të njohur si Gëzim Kame e Drita Agolli. Paralelisht me teatrin dramatik, funksiononte edhe teatri i estradës.

Fatkeqësisht, pas vitit 1990, me kalimin në varësi të Bashkisë së Beratit, teatri dhe estrada humbën vëmendjen dhe mbështetjen financiare. Pas “riorganizimit” në Qendrën Kulturore “Margarita Tutulani”, Bashkia përgjysmoi stafin nga 50 në 25 vetë. Megjithatë, teatri vazhdoi të mbijetojë deri në vitin 1997. Për rreth 20 vjet, Teatri ndërpreu veprimtarinë e tij. I vetmi profesionist, në rolin e regjisorit të ish-Teatrit profesionist të estradës mbeti Sejfulla Myftari (Cekja i Beratit). Së fundi, angazhimi i regjisorit të ri Marsel Greva ka rikthyer shpresën se Teatri i Beratit mund të jetë sërish një institucion funksional dhe me impakt në jetën kulturore të qytetit.